TIRANE- Iu dha sot lamtumira e fundit, Dritan Lamajt, ish-shefit të Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, i cili u ezekutua mbrëmjen e djeshme. Atentati i tipit mafioz, sipas policisë ka lidhje me detyrën e ish-shefit të policisë së Kombinatit.Për nder të tij u mbajtën sot homazhe në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Fillimisht homazhe për nder të figurës së Lamajt kanë kryer ministri i Brendshëm, Flamur Noka, zv/ministri i Mbrojtjes Arben Ristani, kreu i shtabit të FA, Xhemal Gjunkshi dhe Drejtori i Pergjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Pak pas tyre, në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë u shfaq edhe kryesocialisti Rama, i shoqëruar nga Gramoz Ruçi e Sajmir Tahiri.
Homazhe pranë trupit të pajetë të Dritan Lamajt, ka kryer më pas kryeministri Sali Berisha, i cili u përkul me nder para trupit të Lamajt teksa vendosi edhe një kurorë me lule. Fill pas tij homazhe ka kryer kryebashkiaku Lulzim Basha, kreu i FRD-së Bamir Topi e deputeti Gazmend Oketa, si dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe ai i Transporteve Sokol Olldashi.
Pas homazheve që zgjatën rreth 1 orë, trupi i pajetë i komisarit Lamaj u përcoll drejt Varrezave të Dëshmorëve, që është edhe banesa e tij e fundit.
POLICIA: FRROKU DHE JAKU AUTORËT KRYESORE TË DYSHUAR Ora 20:30 Policia e Shtetit konfirmoi sot në mbrëmje lajmin e arrestimit në shtetin fqinj, Greqi, të autorëve të dyshuar të vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj, një natë më parë, pranë banesës së tij, në Rrugën "Ibrahim Dervishi", në zonën e "Vasil Shantos".
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit bëri të ditur se “nga grupi i posaçëm hetimor, i ngritur menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se autorët e dyshuar të vrasjes së kryekomisarit janë shtetasit Arben Frroku dhe Jakë Jaku, përkatësisht 44 dhe 31 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në deklaratën zyrtare të Polcisë thuhet gjithashtu se pas shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me autoritetet policore greke, autorët e dyshuar të vrasjes së kryekomisarit Lama u arrestuan sot në qytetin e Selanikut, në Greqi.
Nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara nga grupi hetimor rezultoi se vrasja e Kryekomisar Dritan Lamaj, është kryer nga autorët e dyshuar për shkak të detyrës. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e autorëve të dyshuar, u sekuestruan 1 snajper, 2 armë zjarri automatike kallashnikov, 1 pistoletë, 2 armë gjahu, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme, etj.
Policia tha se gjatë kontrollit të banesave të tyre u sekuestruan edhe 529 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 396 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe 35 gram lëndë narkotike, e dyshuar marijuanë. Në vijim të hetimeve të kryera është gjetur dhe automjeti me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët e dyshuar të krimit.
Nga grupi hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje, ndërkohë që për dy autorët e dyshuar të vrasjes së Kryekomisar Dritan Lamaj po kryhen të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, me qëllim vënien e tyre para organeve të drejtësisë shqiptare, bënë të ditur burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.
Dritan Lamaj, 41 vjeç, aktualisht punonte specialist në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai ka kryer disa detyra si, shef Rendi në komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, shef i Antiterrorit në drejtorinë e Policisë së Tiranës, si dhe shef i disa seksioneve të Policisë Kriminale.
AUTORITETET KUFITARE: FRROKU-JAKU KANË KALUAR SI PERSONA TË RREGULLT Ora 20:17 Autoritetet kufitare në Kapshticë bëjnë me dije se shtetasit Arben Frroku dhe Jak Jaku kanë kaluar kufirin mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30 si persona të rregullt.
Të njëjta burime konfirmojnë për "News 24" se shtetasit janë regjistruar në sistem, ndërkohë gjatë kontrollit ato nuk kanë rezultuar se janë shtetas në kërkim.
MAKINA E ‘DYSHUAR’ GJENDET NË TIRANË
Ora 20:15 Detaje të reja për vrasjen e Dritan Lamajt, ish-shefit të Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme. Gjendet në fshatin Domje të Tiranës, makina e dyshuar se është përdorur gjatë ekzekutimit të Dritan Lamaj.
Policia e Durrësit konfirmoi pasditen e sotme që një automjet tip “BMW', është vjedhur mbrëmjen e së shtunës dhe dyshohet të jetë e njëjta me atë që antentatorët përdorën në ekzekutimin e kryekomisar Lamaj.
Dyshimet janë nëse ky automjet është përdorur nga vrasësit e ish- kryekomisarit, ndërkohë hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat janë shprehur se nuk mund të ndërhyjnë në hetime, pasi çështja është e vençatë.
Konfirmohet fakti se automjeti i vjedhur është tip “BMW", ngjyrë gri me targa DR 1944 F. Vjedhja ka ndodhur ditën e shtunë, ndërkohë që pronari Fatmir Lila ka denoncuar po të njëjtën ditë grabitjen e automjetit të tij.