Kori është përherë i njëjti: “Maradona është më i mirë se Pele”. Në Napoli këndojnë të gjithë, fëmijë e gra, pleq apo tifozë të rinj. Diego është rikthyer dje në qytetin ku u bë mbret i futbollit, duke i dhënë startin festës. Sapo ka mbërritur në hotel “Royal”, ku është akomoduar, menjëherë njerëzit kanë nisur të thërrasin: “Kush nuk hidhet është juventin”, duke sjellë në mendje armikun e përhershëm. “Sa më mungonin napoletanët!”, ishin fjalët e para të Maradonës në mbërritjen në qytet. “Jam i lumtur që ndodhem sërish këtu. Pashë ndeshjen Udineze-Napoli. Napoli meritonte të fitonte, por Hamshik nuk arriti të shënonte kur i kishte mundësitë. Mëkat, kështu Juve largohet”, deklaroi më tej ish-Pibe de Oro. Beteja
Maradona është rikthyer në Itali pas shumë vitesh, pavarësisht betejës me organet tatimore. Ai mbërriti në aeroportin Fiumiçino të Romës paradite. Ndërkohë, në Napoli ka nisur menjëherë kënga e famshme “O mamma, mamma, mamma...”, dedikuar pikërisht argjentinasit. Atmosfera emocionuese për pritjen e tij dukej sapo ka mbërritur në hotel, ku qindra gazetarë e kanë rrethuar me të shpejtë, madje duke rrezikuar që ai të rrëzohet në tokë. “Mbreti është rikthyer”, kanë qenë fjalët e tifozëve, të lumturuar që rishihnin sërish në qytet futbollistin që u dhuroi titullin kampion. Më pas, Maradona është takuar me miqtë e vjetër, duke nisur nga ish-kapiteni historik i Napolit Pepe Bruskoloti dhe Xhani Aielo, shoferi i tij i vjetër. Më pas, ka parë ndeshjen me Udinezen në televizion, teksa gëzimi i dukej qartë në fytyrë. Sot, ai pritet të japë një konferencë për luftën me tatimorët, ndërsa avokati Pizani ka thënë se “Maradona nuk është evazor fiskal. Ai pritet të takojë edhe Diego Maradona xhunior, djalin e tij. Ndërkohë, klubi i Napolit ka bërë të ditur organizimin e ceremonive në nder të tij.